Për burrat

A mos është shtatzënë?

Pikë së pari, mos u alarmoni! Vendimet e tua të ardhshme nuk bien vetëm mbi supet e tua. Ju e keni një partnere që ka nevojë për ju tani më shumë se kurrë dhe me të cilën ju duhet të kaloni nëpër hapat e ardhshëm. Kujdesuni për të si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Si? Shikoni këshillat tona më poshtë.

Çfarë të bëni:

Flisni me të dhe DËGJOJENI! Zhdukja juaj pa gjurmë dhe braktisja pa përgjigje nuk është se do ta zhdukë problemin. Në fakt, do t’i bëjë gjërat edhe më të vështira për të dy ju. Zhvilloni biseda të hapura dhe me ndershmëri!

Flisni me të gjithë njerëzit e rëndësishëm për ju! Po, ju mund të dëshironi ta mbani sekret gjatë tronditjes fillestare. Mirëpo, njerëzit, që do të jenë drejtpërdrejt të përfshirë (prindërit, kujdestarët, etj.), DUHET ta dinë se çfarë po ndodh. Kushedi, ndoshta madje do të jenë të gatshëm t’ju ndihmojnë!

Edukoni veten! Si mund ta ndihmoni nëse as nuk e dini se çfarë po ndodh vërtet në trupin e saj? Mësoni për atë që po i ndodh si trupit të saj, ashtu edhe fëmijës suaj në çdo tremujor. Shkoni në kursin e saj të prindërimit. Shkoni në kursin e lindjes. Lexoni ndonjë libër të kësaj fushe. Dëgjoni podkaste kur stërviteni. Sa më i informuar të jeni, aq më pak pështjellim do të ndjeni!

Jini i sinqertë me të dhe me veten tuaj! Kjo nuk është koha për të fshehur ndjenjat tuaja. Jeni i frikësuar? Thuajeni! Në ankth? Thuajeni! I pështjelluar? Thuajeni! Ka shumë mundësi që edhe ajo t’i ndiejë të njëjtat gjëra, dhe do të jetë një lehtësim shumë i madh kur ta kuptoni që nuk jeni vetëm ju që ndiheni kështu.

Së fundi, qëndrojini pranë! Si në gjërat e mëdha ashtu edhe në ato të voglat. Bëjani të ditur se çkado ndodhtë, të gjitha vendimet do t’i merrni bashkë.

A keni pyetje të tjera?

Nuk ka dyshim që është e vështirë. Nëse ju apo partnerja juaj keni edhe të tjera pyetje specifike apo shqetësime, na kontaktoni dhe do të jemi të lumtur t’ju ndihmojmë.